You are here

Burimet e legjislacionit në Islam

Muslimanët, për njohjen e ligjeve dhe dispozitave të Islamit, bazohen në burime dhe argumente madhore, nga të cilat marrin diturinë mbi dispozitat e ndodhive nëse ato janë hallall (të ligjshme) ose haram (të paligjshme)...

Argumentet universale (përfshirëse) të sheriatit (ligjit islam) janë si vijon:

  1. Kurani fisnik

Është libri i Allahut, i zbritur për robërit e Tij si udhëzim, sqarues dhe dallues mes të drejtës dhe të gabuarës. Ai është i imunizuar prej modifikimit dhe ndryshimit. Në qoftë se Allahu në Librin e Tij urdhëron ose ndalon, të gjithë muslimanët domosdoshmërish i nënshtrohen kërkesës së urdhrit dhe ndalimit. Kështu, nëse Ai thotë: “Falni namazin!” (En-Nur: 56), ne sigurisht e kuptojmë se namazi është obligim. Nëse Ai thotë: “Dhe mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e keqe” (El-Isra: 32), ne jemi të sigurt për paligjshmërinë e tradhtisë bashkëshortore... Përderisa Allahu e ka garantuar ruajtjen e Kuranit nga ndryshimi, shtimi dhe mangësia, ajo për të cilën ne kemi nevojë është vetëm të sigurohemi për pikësynimin ku ajeti (thënia kuranore) orienton.     

  1.  Suneti (Tradita Profetike)

Është gjithë sa vërtetohet të jenë prej fjalëve të Profetit (Paqja qoftë mbi të!), veprimeve, miratimeve dhe moraleve të tij (Paqja qoftë mbi të!). Pasi ne e mësuam vërtetësinë e thënies së Profetit (Paqja qoftë mbi të!): “Nuk bashkohet [nuk lejohet bashkimi nën një kurorë] mes gruas dhe hallës së saj, e as mes gruas dhe tezes së saj” (El-Bukhari 5109), nga kjo e kuptojmë se nuk lejohet dhe nuk është e drejtë që një burrë të martohet me një grua dhe krahas saj të martohet me hallën apo tezen e saj.

Për nxjerrjen e dispozitave nga Suneti i të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!) shikojmë në dy drejtime:

  • Vërtetimi i përkatësisë përcaktimit të hadithit tek i Dërguari i Allahut (Paqja qoftë mbi të!). Faktikisht dijetarët e Islamit përmes përpjekjeve të tyre të jashtëzakonshme dhe me standardet më të larta të përpikërisë dhe perfeksionimit, kanë bërë studimin e Sunetit të nderuar profetik dhe dallimin e hadithit sahih (të saktë) që është vërtetuar përmes transmetimit të hafëzëve (transmetuesve autentikë) të besueshëm, nga fjalët që i (përcaktohen) Profetit (Paqja qoftë mbi të!) dhe nuk janë prej Sunetit të tij, por kanë rrjedhur për shkak të gabimit, fantazisë ose për shkak të gënjeshtrës së disa armiqve të Islamit. 
  • Orientimi i hadithit tek kuptimi i synuar. Orientimi ndodh të jetë i hapur, i qartë dhe i pandryshueshëm në kuptimin e tij. Po kështu ndodh që ai të bartë më shumë se një kuptim ose që të mos kuptohet, përveçse kur bashkëngjitet tek një hadith tjetër.
  1. Ixhmaja (Konsensusi)

Është marrëveshja e mbarë dijetarëve të Islamit, për një çështje prej çështjeve, në çfarëdo epoke prej epokave. Dijetarët e Islamit kanë rënë dakord për shumicën e dispozitave të Islamit dhe ligjeve të tij madhore dhe nuk kanë ndryshuar në to. Prej tyre janë: numri i rekateve të namazit, koha e imsakut (ndalimit nga gjërat që e prishin agjërimin) në agjërim dhe koha e iftarit (çeljes së agjërimit), sasia e zekatit në ar apo argjend, dhe në dispozita të tjera veç këtyre.

Nëse sahabët (shokët e Profetit) apo ata që kanë ardhur pas tyre, bien dakord mbi një mendim, kjo gjë është tregues i saktësisë së tij; sepse umeti (kombi islam) nuk bie i gjithi në konsensus për një çështje të gabuar.

  1. Kijasi (Analogjia)

Është të gjykuarit për një çështje që nuk ka ardhur në Kuran dhe Sunet, me dispozitën e një tjetër çështjeje që ka ardhur, për shkak të pajtimit të këtyre të dyjave në arsyen (faktin) e dispozitës dhe shkakun e saj, si për shembull thënia se goditja e prindërve është e ndaluar, në analogji (ngjashmëri) me ndalimin e shfryrjes dhe ngritjes së zërit ndaj tyre, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Mos u thuaj atyre as ‘uh!’, mos i kundërshto.” (El-Isra: 23). Nëse Zoti e ka ndaluar ngritjen e zërit që të mos lëndojmë prindërit, ndalimi i goditjes së tyre është më parësor, për shkak të pajtimit të këtyre të dyjave në faktin e “lëndimit”. Ky është një kapitull i brishtë, që i përket dijetarëve të afirmuar dhe me të njihen dispozitat e çështjeve të reja. 

Përse dijetarët kanë mospajtime ndërkohë që kanë qëndrim unanim për burimet e legjislacionit?

Për njohjen e kësaj, duhet të njihesh me sa vijon:

  1. Të gjithë dijetarët e kualifikuar janë pajtuar në lidhje me çështjet e imanit (besimit), burimet e dispozitave, shtyllat e Islamit dhe strukturat e tij madhore; ndaj në realitet mospajtimi kufizohet në disa hollësira të dispozitave të fikhut (jurisprudencës islame) dhe në zbatimet e tyre.

Ndërsa për rregullat e përgjithshme dhe burimet e dispozitave dijetarët janë pajtuar, falë dhuntisë së Allahut ndaj këtij sheriati (ligjit islam), që është vula e ligjeve dhe shpalljeve dhe të cilin Allahu e ka garantuar se do ta ruaj derisa Ai ta trashëgojë tokën dhe ata që gjenden mbi të [deri në Ditën e Kiametit].

  1. Mospajtimi në çështjet dytësore dhe plotësuese është normal dhe nuk gjendet asnjë legjislacion qiellor apo tokësor që të mos jetë kësisoj, për më tepër nuk ka asnjë shkencë që të mos jetë e tillë. Hartuesit e ligjit kanë mospajtime në komentimin dhe interpretimin e ligjit, gjykatat kanë mospajtime në zbatimin e tij, historianët kanë mospajtime në lidhje me ngjarjet e saj, mjekët, inxhinierët, ekspertët dhe teknikët kanë mospajtime mes tyre për një temë të njëjtë qoftë në diskutimin apo edhe në analizimin e saj.

Mospajtimi në çështjet dytësore dhe plotësuese është diçka normale dhe një domosdoshmëri për jetën shkencore dhe praktike.

  1. Allahu i Plotfuqishëm e ka justifikuar atë që kërkon të vërtetën në mënyrë korrekte por që gabon në  arritjen për tek ajo. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e ka përgëzuar atë që e gjurmon të vërtetën në mënyrë të saktë, se në të dy rastet [edhe nëse ia qëllon asaj e edhe nëse gabon] ai nuk është pa shpërblim. 

Nëse ia arrin të vërtetës atij i takojnë dy shpërblime dhe nëse gabon duke iu përmbajtur me rigorozitet rrugës së saktë dhe duke ecur në të, atij i takon një shpërblim i vetëm.  Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: «Nëse gjykatësi gjykon, përsiatet dhe ia arrin qëllimit, atij i takojnë dy shpërblime dhe në qoftë se gjykon, përsiatet e pas kësaj gabon, atij i takon një shpërblim.» (El-Bukhari 7352).

Allahu ka rrëfyer historinë e profetëve të Tij Daudit dhe Sulejmanit (Paqja qoftë mbi të dy!), kur atyre iu paraqit një çështje për gjykim. Të dy u përsiatën në lidhje me të dhe teksa Sulejmani (Paqja qoftë mbi të!) gjykoi saktë, Daudi (Paqja qoftë mbi të!) nuk arriti të jepte një gjykim të saktë. Kur Allahu na tregon historinë e tyre, Ai e konfirmon saktësinë e fjalës së Sulejmanit dhe gabimin e Daudit (Paqja qoftë mbi të dy.), megjithatë, Allahu e vlerësoi diturinë e të dyve sikundër dhe thotë: “Ne e bëmë Sulejmanin ta kuptonte drejtë çështjen dhe, që të dyve u dhamë mençuri e dituri.” (El-Enbija: 79).

  1. Të gjithë dijetarët e mirëfilltë dhe imamët (krerët) e katër medhhebeve (akademive juridike islame), mbështeten në Kuran dhe Sunet dhe u japin këtyre të dyve përparësi kundrejt çdo mendimi apo apo vërejtje. Mospajtimi i tyre nuk ka qenë bazuar në ndonjë tekë apo reagim pas të cilit të jenë fshehur qëllime dhe interesa, por ka qenë mbështetur në baza shkencore objektive, me qëllim që të realizohet arritja tek e vërteta. Po kështu [në këtë mospajtim ka ndikuar fakti se] ka ndodhur që hadithi t’i arrijë një dijetari dhe të mos i arrijë një tjetri, apo të ndryshojnë këndvështrimet e tyre shkencore në të kuptuarit e argumentit të Kuranit dhe Sunetit etj.
  2. Katër janë dijetarët më të mëdhenj dhe më të famshëm për të cilët njerëzit kanë rënë dakord mbi faktin se ata janë imamë në dituri dhe fe. Ata arritën një shkallë të lartë në fikh (jurisprudencë), dituri dhe fe. Nxënësit e tyre ishin të shumtë dhe fjalët e atyre i përhapën dhe ua mësuan njerëzve në skajet e tokës. Kështu u formuan katër medhhebet e përhapura në territoret e muslimanëve të cilët u përcaktohen atyre. Ata janë: 
  • Imam Ebu Hanife, emri i të cilit është Nua’man Ibn Thabit, i cili jetoi në Irak dhe ndërroi jetë në vitin 150 hixhri (sipas kalendarit të emigrimit profetik). Atij i përcaktohet Medhhebi Hanefi.
  • Imam Malik Ibn Enesi El-Asbahi, imami i Medines, i cili ndërroi jetë në vitin 179 hixhri. Atij i përcaktohet Medhhebi Maliki.
  • Imam Shafiu, i quajtur Muhamed Ibn Idris, i cili jetoi në Mekë, Medine, Irak dhe Egjipt dhe ndërroi jetë në vitin 204 hixhri. Atij i përcaktohet Medhhebi Shafi’i.
  • Imam Ahmed Ibn Hanbel, i cili pjesën më të madhe të jetës së tij e kaloi në Irak dhe ndërroi jetë në vitin 241 hixhri. Atij i përcaktohet Medhhebi Hanbeli.

Midis katër imamëve dhe studentëve të tyre kishte lavdërime të ndërsjella dhe shkëmbime të ndryshme eksperiencash.  Secili ishte i angazhuar të ndiqte të vërtetën dhe të saktën, duke mos u ndjerë ngushtë fare që të binte dakord me njërin në një çështje, apo me tjetrin në një çështje tjetër. Ata ndiqnin drejtësinë dhe argumentin. Prandaj gjejmë se disa prej tyre kanë mësuar tek tjetri. Kështu imam Ahmedi është shkolluar dhe ka mësuar tek Shafiu, Shafiu është shkolluar dhe ka mësuar tek imam Maliku dhe midis Malikut dhe studentëve të Ebu Hanifes ka pasur takime dhe shkëmbime eksperiencash.

Është vërtetuar se të katër imamët kanë thënë: «Nëse hadithi është i vërtetë, ai është medhhebi im.» Pikësynimi i tyre i parë ka qenë shpërndarja e diturisë dhe largimi i injorancës nga njerëzit. Allahu i mëshiroftë me një mëshirë të gjerë.

Cila është detyra e muslimanit ndaj mospajtimit juridik?

Detyra e muslimanit është që të përpiqet të ndjekë të vërtetën dhe të arrijë tek ajo... 

  • Nëse është prej nxënësve të dijes të specializuar dhe afirmuar në studimin e argumentit, ai është i obliguar të ndjekë ixhtihadin (përsiatjen) e tij në të kuptuarit e provave në pajtim me rregullat e shkencës së bazave të fikhut (jurisprudencës). Atij i ndalohet fanatizmi për shejkhun (profesorin) e tij apo medhehebin e tij nëse atij i shfaqet se e sakta është me dikë tjetër.
  • Ndërsa, kush është nga masa e gjerë prej muslimanëve që s’është specialist apo i afirmuar për të gjurmuar argumentet, ai duhet të pasojë atë dijetar për të cilin mendon se është më i besueshmi në fe dhe dituri. Kështu ai e ka çuar në vend obligimin e vet dhe ka vepruar në përputhje me fjalën e Allahut: “Pyetni dijetarët (specialistë) nëse ju nuk dini.” (El-Enbija: 7). 

Ndërsa nëse ai di një mendim të besueshëm në lidhje me një çështje apo pyet një dijetar të mirëfilltë, atëherë nuk e ka obligim që pas tij të pyes tjetërkënd. Nëse informohet mbi një mendim tjetër të ndryshëm, ai duhet të ndjekë atë që mendon se është më afër të saktës dhe të drejtës, ashtu siç vepron pacienti nëse mjekët ndryshojnë në këshillat që japin për trajtimin e tij.

Ai nuk duhet ta cenoj dhe as ta mohojë muslimanin tjetër nëse ai nuk pajtohet në mendim me të, për sa kohë që ai ndjek një medhheb fikhu, ose imiton një dijetar që gëzon konsideratë apo që është nga të afirmuarit në ixhtihad (kompetencën për dhënien e fetvave/ opinioneve sheriatike) dhe fikh. Sahabët (shokët) e Profetit (Paqja qoftë mbi të!) dhe selefët (dy gjeneratat pas sahabëve) ndryshonin në çështjet juridike por e ruanin dashurinë dhe vëllazërinë mes tyre dhe diskutonin mes tyre pa e cenuar njëri-tjetrin.     

Udhëzuesi i thjeshtuari muslimanit

Muslimi faqe udhëzues lehtësues është versioni elektronik i librit (udhëzues lehtësuesit myslimane), e cila është një bashkëkohore projekte udhëzues kompanisë janë prodhuar më shumë se 15 gjuhë dhe të sigurojë përmbajtjen në një numër të templates elektronike dalluese.

Modern Guide