You are here

I paligjshmi për arsye të mënyrës së fitimit të tij:

2- El-Garar Ue El-Xhehele (shitblerja rrezikuese dhe e panjohur)

Synohet çdo kontratë me vlerë të panjohur dhe hendek që mund të bëhet shkak për grindje e konflikt midis dy palëve, ose padrejtësi të njërës kundër tjetrës.

Islami e ka ndaluar transaksionin në fjalë për t’i mbyllur rrugën konfliktit, padrejtësisë dhe mashtrimit, madje edhe kur njerëzit pajtohen me të. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e ka ndaluar shitblerjen El-Garar (rrezikuese, sepse malli është i panjohur ose s’mund të merret në dorëzim). (Muslimi 1513).

Ndalohet çdo kontratë (akt shit-blerje) me çmim (vlerë) të pacaktuar (të panjohur), që mund të bëhet shkak për grindje dhe konflikt në të ardhmen

Shembuj të shitblerjes El-Garar Ue El-Xhehele (rrezikuese dhe e panjohur): 

  1. Shitja e prodhimit frutor që është në pemë para se frutat të jenë pjekur dhe të jenë gati për vjelje. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) e ka ndaluar një shitje të tillë për shkak të mundësisë së prishjes së frutave para pjekjes.
  2. Që dikush të paguajë një shumë të caktuar parash për të blerë një arkë që s’dihet se ç’përmban, gjëra me vlerë a gjëra pa vlerë.

Kur influencon mosnjohja? 

Rrezikimi dhe mosnjohja nuk janë përcaktuese në ndalimin e një transaksioni vetëm se kur janë të përmasave të konsiderueshme dhe janë në bazën e transaksionit, jo në shtojcat e tij. Kështu, p.sh., një muslimani i lejohet që të blejë një shtëpi, ndonëse nuk i njeh lëndët që janë përdorur për ndërtimin e kësaj shtëpie, lyerjen e saj etj. Në këtë rast, mosnjohja konsiderohet e lehtë dhe që ka lidhje me shtojcat e transaksionit dhe jo me bazën e tij.

3- Padrejtësia dhe përvetësimi i pasurisë së njerëzve me mashtrim

Padrejtësia është nga veprimet më të shëmtuara, kundër të cilave ka paralajmëruar Islami. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Padrejtësia do të jetë errësirë në Ditën e Gjykimit.” (El-Bukhari 2315, Muslimi 2579). Marrja e pasurisë së njerëzve padrejtësisht, qoftë edhe e një sasie të vogël, është një nga gjynahet dhe krimet më të mëdha, autorin e të cilave e pret një dënim i rëndë në botën tjetër. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush merr padrejtësisht qoftë dhe një pëllëmbë tokë, në Ditën e Gjykimit do t’i bëhet kular (rreth qafës) prej shtatë tokave.” (El-Bukhari 2321, Muslimi 1610).

Shembuj të padrejtësisë në transaksione:

  1. Hileja dhe mashtrimi i njerëzve: për t’ua ngrënë pasuritë e tyre padrejtësisht. Ky është një nga mëkatet e mëdha, siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Kush na mashtron, s’është prej nesh.” (Muslimi 101). Shkaku i kësaj thënie është se një ditë Profeti (Paqja qoftë mbi të!) doli në treg dhe gjeti një grumbull (pirg) drithi. E futi dorën në drith dhe ndjeu lagështi. I tha shitësit: “O  pronar i hajes (drithit), çfarë është kjo?” Ai i tha: “Ma zuri shiu, o i Dërguari i Allahut.” Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i tha: “Përse nuk e vendos sipër hajes që ta shohin njerëzit?” Pastaj shtoi: “Kush mashtron, nuk është prej nesh.” (Tirmidhi 1315).
  2. Manipulimi me ligjin: që bëhet për të përftuar padrejtësisht pasurinë [e të tjerëve]. Disa njerëz mund të kenë zgjuarsi dhe aftësi për të përvetësuar nëpërmjet ligjit a gjykatës pasuri që nuk u takojnë. Mirëpo vendimi i gjykatësit nuk e shndërron të padrejtën në të drejtë, siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Në të vërtetë, unë jam vetëm njeri. Ju vini në gjyq para meje dhe ndoshta ndonjëri prej jush e shpreh më bukur argumentin e tij dhe unë i jap të drejtë mbi bazën e asaj që dëgjoj. Por atij që i jap të drejtën e vëllait të vet në këtë formë, le të mos e marrë, sepse në të vërtetë i kam dhënë një copë zjarri.” (El-Bukhari 6748, Muslimi 1713).
  3. Detyrimi: Nuk lejohet ta detyrosh tjetrin, në asnjë formë detyrimi a dhune, për të pasur marrëveshje. Marrëveshjet janë të vlefshme vetëm atëherë kur bëhen me konsensus, siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Shitblerja bëhet vetëm me pëlqim të ndërsjellë.” (Ibn Maxhe 2185).
  4. Ryshfeti: Kjo është kur njeriu paguan para apo i ofron dikujt shërbime për të përfituar një të drejtë që nuk është e vetja. Ky është një nga gjynahet më të rënda dhe nga padrejtësitë më të shëmtuara. Profeti (Paqja qoftë mbi të!) i ka mallkuar si ryshfetdhënësin ashtu edhe ryshfetmarrësin. (Tirmidhi 1337).

Kur përhapet ryshfeti në një shoqëri, atë e kaplon korrupsioni, shthurja e dekadenca dhe lulëzimi dhe zhvillimi i saj ndalon.

Udhëzuesi i thjeshtuari muslimanit

Muslimi faqe udhëzues lehtësues është versioni elektronik i librit (udhëzues lehtësuesit myslimane), e cila është një bashkëkohore projekte udhëzues kompanisë janë prodhuar më shumë se 15 gjuhë dhe të sigurojë përmbajtjen në një numër të templates elektronike dalluese.

Modern Guide