Namazi

Domethënia e namazit

Në origjinë, kuptimi i fjalës salat (namaz) është: lutje. Namazi është lidhja midis robit dhe Krijuesit të tij. Ai përmban konceptet më të larta të dorëzimit tek Allahu dhe të kërkimit të ndihmës e të mbrojtjes prej Tij. Në namaz njeriu i lutet Zotit, e thërret, e përmend Atë dhe shpirti i tij lartësohet; kujton realitetin e vet e të botës ku jeton dhe në zemër ndien madhështinë dhe mëshirën e Zotit të vet. Atëherë ky namaz e bën njeriun të vendosur në rrugën e drejtë të Allahut dhe e largon nga padrejtësitë, shthurja dhe mosbindja, siç ka thënë i Lartmadhëruari: “Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” (El-Ankebut: 45).

Pozita dhe vlera e namazit

Namazi është adhurimi më madhështor dhe më i rëndësishëm trupor (fizik). Ai është një adhurim që përfshin gjithashtu zemrën, mendjen dhe gjuhën. Rëndësia e namazit shfaqet në disa aspekte, prej të cilave përmendim:

Namazi gëzon pozitat më të larta: 

  1. Namazi është themeli (bazamenti) i dytë i Islamit, siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Islami është ndërtuar mbi pesë (themele): Dëshmia se nuk ka zot tjetër (që meriton të adhurohet) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit ...” (El-Bukhari 8, Muslimi 16). Themeli i një ndërtese është baza mbi të cilën ajo mbështetet dhe pa të cilën nuk qëndron dot. 
  2. Argumentet nga sheriati (ligji islam) tregojnë se falja e namazit bën dallimin midis muslimanëve dhe jomuslimanëve femohues, siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Vërtet, midis njeriut, idhujtarisë dhe femohimit qëndron moskryerja e namazit.” (Muslimi 82). Gjithashtu ka thënë: “Shenja dalluese mes nesh dhe atyre (jomuslimanëve) është namazi. Prandaj, kush e braktis atë, është femohues.” (Tirmidhi 2621, En Nesaiu 463).
  3. Allahu i Lartmadhëruar ka urdhëruar që namazi të falet rregullisht në çdo rrethanë: Në udhëtim e në vendbanim, në kohë paqeje e kohë lufte, në gjendje të shëndoshë e në gjendje të sëmurë dhe të kryhet sipas mundësive, siç ka thënë i Lartësuari: “Falini rregullisht namazet.” (El-Bekare: 283). Ai i cilëson robërit e Tij besimtarë me fjalën e Tij: “Ata që i falin rregullisht namazet e tyre.” (El-Mu’minun: 9).

Mirësitë e namazit

Për mirësitë e namazit flasin shumë argumente nga Kurani dhe Suneti (Tradita Profetike); prej këtyre mirësive përmendim:

  1. Namazi i shlyen gjynahet, siç ka thënë Profeti (Paqja qoftë mbi të!): “Pesë namazet (ditore) dhe namazi i xhumasë (të premtes) deri në namazin tjetër të xhumasë, i shlyejnë gjynahet që kryhen midis tyre, për sa kohë nuk kryhen gjynahe të mëdha.” (Muslimi 233, Tirmidhi 214).
  2. Namazi është dritë që ia ndriçon gjithë jetën muslimanit, e mbështet atë për të bërë të mira dhe e largon nga e keqja, siç ka thënë i Lartmadhëruari: “Vërtet, namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar.” (El-Ankebut: 45). Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Namazi është dritë.” (Muslimi 223).
  3. Namazi është vepra e parë për të cilën njeriu do të japë llogari Ditën e Gjykimit. Në qoftë se ai është i rregullt dhe pranohet, atëherë i pranohen të gjitha veprat e tjera të mira; në qoftë se ai nuk i pranohet, atëherë nuk do t’i pranohen as veprat e tjera. Përkitazi me këtë, Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “E para (vepër) për të cilën do t’i kërkohet llogari njeriut Ditën e Gjykimit, është namazi. Nëse ai është në rregull, atëherë do të jenë në rregull (do pranohen) të gjitha veprat e tjera dhe nëse ai shkatërrohet, atëherë do t’i shkatërrohen të gjitha veprat e tjera.” (El-Mu’xhem El-Euset, Et-Taberani 1859).

Namazi përbën çastet më të këndshme për besimtarin, kur i drejtohet Zotit të vet gjatë faljes dhe aty gjen prehje, qetësi dhe shoqërim me Allahun e Lartmadhëruar. 

  • Namazi ka qenë kënaqësia më e madhe për Profetin (Paqja qoftë mbi të!), i cili ka thënë: “Ëndja e syve të mi (kënaqësia ime) më është bërë në namaz.” (En-Nesai 3940). 
  • Ai (Paqja qoftë mbi të!) i thoshte Bilalit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), muezinit që thirrte për në namaz: “Na qetëso me të, o Bilal.” (Ebu Daudi 4985).
  • Sa herë që e mundonte dhe preokuponte ndonjë çështje, Profeti (Paqja qoftë mbi të!) strehohej në namaz. (Ebu Daudi 1319).

Udhëzuesi i thjeshtuari muslimanit

Muslimi faqe udhëzues lehtësues është versioni elektronik i librit (udhëzues lehtësuesit myslimane), e cila është një bashkëkohore projekte udhëzues kompanisë janë prodhuar më shumë se 15 gjuhë dhe të sigurojë përmbajtjen në një numër të templates elektronike dalluese.

Modern Guide