You are here

Besimi tek Allahu

Sexhdja është nga treguesit më të mëdhenj të nënshtrimit ndaj Krijuesit të Lartmadhëruar.

Kuptimi i besimit tek Allahu i Lartmadhëruar 

Është besimi kategorik në ekzistencën e Allahut të Lartësuar, pohimi i rububijes së Tij (zotërimit unik), uluhijes së Tij (të drejtës unike për t’u adhuruar) dhe i emrave dhe atributeve të Tij (unike të përsosura hyjnore).

Do të flasim me hollësi për këto katër çështje më poshtë:

  1. Besimi në ekzistencën e Allahut të Lartësuar

Natyra e Allahut (në të cilën Ai i ka krijuar njerëzit):

Pohimi i ekzistencës së Allahut është diçka e natyrshme te njeriu dhe nuk ka nevojë për arsyetime të stërholluara, prandaj shumica e njerëzve e pranojnë ekzistencën e Allahut, pavarësisht ndryshimit të feve dhe doktrinave të tyre.

Ne e ndiejmë nga thellësitë e zemrave tona se Ai ekziston; tek Ai strehohemi kur jemi në vështirësi dhe fatkeqësi, përmes natyrës sonë besimtare dhe instinktit të fetarisë që Allahu e ka strukturuar në unin e çdo njeriu, ndonëse disa njerëz përpiqen ta errësojnë dhe shpërfillin atë.

Na ka qëlluar të gjithëve të dëgjojmë a të shohim përmbushjen e lutjes së lutësve, ndihmesën e kërkuesve dhe përgjigjen që kanë marrë njerëzit në vështirësi, çka vërteton me siguri ekzistencën e Allahut të Lartësuar.

Argumentet për ekzistencën e Allahut janë shumë më të qarta sesa të jetë e nevojshme të përmenden a përkufizohen. Prej tyre përmendim:

  • Dihet nga çdo person se ndodhia ka nevojë për një shkaktar. Këto krijesa të shumta që shohim vazhdimisht, duhet të kenë medoemos një krijues që t’i ketë sjellë në ekzistencë. Ky krijues është Allahu i Lartmadhëruar, sepse është e pamundur që një krijesë të gjendet pa një krijues që e ka sjellë në ekzistencë dhe gjithashu është e pamundur që krijesa të krijojë veten e saj, pasi ajo e ka të pamundur të vetëkrijohet (nga hiçi). Prandaj dhe Allahu ka thënë: “A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?!” (Et-Tur: 35). Kuptimi i ajetit është se njerëzit nuk erdhën në ekzistencë pa një krijues dhe as e krijuan vetveten, prandaj krijuesi i tyre duhet të jetë Zoti i Lartmadhëruar.
  • Rregullsia e këtij universi, qiellit, tokës, yjeve dhe bimësisë së tij, janë provë kategorike se kjo gjithësi ka një krijues të vetëm, i cili është Allahu i Madhërishëm: “I tillë është krijimi i Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë.” (En-Neml: 88).

I gjejmë të gjithë këta trupa qiellorë dhe yje - për shembull - të lëvizin sipas një sistemi të qëndrueshëm që nuk çrregullohet. Secili prej tyre lëviz në orbitën e vet dhe nuk e kapërcen atë.

Allahu i Lartësuar thotë: “As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.” (Ja Sin: 40).

  1. Besimi në  rububijen (zotërimin unik) e Allahut të Lartësuar: 

Kuptimi i besimit në rububijen e Allahut të Lartësuar:

Është pohimi dhe besimi kategorik se Allahu i Lartësuar është Zoti i çdo gjëje, Zotëruesi, Krijuesi dhe Furnizuesi i saj, se Ai është Jetëdhënësi dhe Jetëmarrësi, Dobiprurësi dhe Dëmprurësi, Ai që ka në Dorë çdo gjë e çdo të mirë; se Ai është i Fuqishëm për gjithçka dhe se Ai nuk ka partner (shok) në këtë.

Është pra që ta konsiderosh Allahun unik në veprimet e Tij, duke besuar:

  • Se vetëm Allahu është Krijuesi i çdo gjëje në gjithësi dhe nuk ka krijues tjetër përveç Tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje.” (Ez-Zumer: 62).
    Ndërsa krijimi apo prodhimi i njeriut, është shndërrim i një tipari karakterisitik në një tjetër, apo kompozim  dhe montim etj., dhe nuk është krijim i mirëfilltë, as sjellje në ekzistencë nga hiçi dhe as sjellje në jetë pas vdekjes.
  • Se Allahu është Furnizuesi i të gjitha krijesave dhe nuk ka Furnizues tjetër veç Tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “S’ka asnjë gjallesë në Tokë që të mos i ketë mjetet e jetesës (furnizimin) prej Tij.” (Hud: 6).
  • Se Allahu është Zotëruesi i gjithçkaje dhe nuk ka Zotërues të mirëfilltë veç Tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Allahut i takon sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe gjithçka që ato përmbajnë.” (El-Maide: 120).
  • Se Allahu është Drejtuesi i gjithçkaje dhe nuk ka drejtues tjetër përveç Tij, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ai drejton çdo çështje, prej qiellit deri në Tokë.” (Es-Sexhde: 5).
    Ndërsa drejtimi dhe rregullimi që u bën njeriu çështjeve të veta dhe jetës së vet, është i kufizuar sipas fuqisë e kapacitetit njerëzor dhe mund të dalë me sukses por edhe mund të dështojë. Kurse drejtimi i çështjeve nga Krijuesi i Lartmadhëruar është gjithëpërfshirës e asgjë nuk mund t’i shpëtojë atij si dhe është i destinuar të zbatohet dhe asgjë nuk mund ta pengojë a kundërshtojë atë, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. I Bekuar është Allahu, Zoti i botëve!” (El-Araf: 54).

Idhujtarët arabë në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e pranonin rububijen e Allahut:

Femohuesit në kohën e të Dërguarit të Allahut (Paqja qoftë mbi të!) e pranonin se Allahu është Krijuesi, Zotëruesi dhe Drejtuesi, e megjithatë vetëm ky besim nuk i futi ata në Islam, siç ka thënë Allahu i Lartmadhëruar: “Nëse i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri do të të thonë: Allahu.” (Lukman: 25).

Arsyeja është se kush e pranon që Allahu është Zoti i botëve, pra Krijuesi, Sunduesi dhe Furnizuesi i tyre me begati, duhet ta adhurojë veç Allahun dhe t’ia kushtojë adhurimin Atij, të Vetëm e të Pashoq.

Si mund të mendohet që njeriu ta pranojë Allahun si Krijues dhe Drejtues të gjithçkaje në univers, si Jetëdhënës dhe Jetëmarrës, e pastaj t’i kushtojë diç prej adhurimit, dikujt a diçkaje tjetër veç Tij?! Kjo është padrejtësia më e shëmtuar dhe gjynahu më i madh. Prandaj Lukmani e këshillonte dhe udhëzonte birin e tij me fjalët: “O biri im, mos i bëj Allahut shirk [mos bjerë në idhujtari duke i shoqëruar Allahut partnerë të tjerë në adhurim]. Pa dyshim, idhujtaria është padrejtësia më e madhe.” (Lukman: 13).

Kur i Dërguari i Allahut është pyetur se cili është gjynahu më i madh tek Allahu, ai ka thënë: “T’i bësh shok (të barabartë) Allahut, ndërkohë që Ai të ka krijuar.” (El-Bukhari 4207, Muslimi 86).

Besimi në rububijen e Allahut i qetëson zemrat

Kur robi e di me siguri: se asnjë prej krijesave nuk mund të dalë nga kaderi (paracaktimi) që ka caktuar Allahu i Lartësuar, sepse Allahu është Ai që i sundon të gjitha krijesat dhe i rregullon si të dojë në pajtim me urtësinë e Vet; se Allahu është Krijuesi i të gjitha krijesave dhe çdo gjë tjetër veç Tij është e krijuar, e varfër dhe nevojtare për Krijuesin e saj; se e tërë çështja është në Dorën e Lartmadhërisë së Tij; se nuk ka krijues të mirëfilltë veç Tij, as furnizues të mirëfilltë veç Tij dhe as drejtues të mirëfilltë të gjithësisë veç Atij, të Vetëm e të Pashoq; se as grimca më e vogël nuk lëviz veçse me lejen e Tij dhe nuk prehet përveçse me urdhrin e Tij; e tillë gjë trashëgon në zemrën e këtij robi lidhjen vetëm me Allahun, drejtimin e lutjes vetëm Atij, nevojën vetëm për Të, mbështetjen vetëm tek Ai në të gjitha çështjet e jetës, iniciativën dhe këmbënguljen në përballjen me të papriturat e jetës me shumë qetësi, vendosmëri e qëndresë, duke e ditur se përderisa ai po i bën të gjitha përpjekjet për të realizuar synimin e vet dhe e ka lutur Allahun për realizimin e këtij qëllim, kësisoj e ka kryer detyrën që i takon. Së këtejmi uni i këtij robi prehet dhe nuk pret më nga duart e të tjerëve, pasi e di mirë se çështja në realitet është e tëra në dorën e Allahut, që krijon dhe zgjedh çfarë të dojë.

Udhëzuesi i thjeshtuari muslimanit

Muslimi faqe udhëzues lehtësues është versioni elektronik i librit (udhëzues lehtësuesit myslimane), e cila është një bashkëkohore projekte udhëzues kompanisë janë prodhuar më shumë se 15 gjuhë dhe të sigurojë përmbajtjen në një numër të templates elektronike dalluese.

Modern Guide