You are here

Besimi në të Dërguarit

Nevoja e njerëzve për Revelatën Hyjnore:

Njerëzit kanë nevojë të domosdoshme për Revelatën / Shpalljen hyjnore, që t’u tregojë ligjet hyjnore dhe t’i udhëzojë në rrugën e drejtë. Revelata hyjnore është shpirti, drita dhe jeta e botës. Çfarë mirësie do të kishte bota në qoftë se do t’i mungonin shpirti, jeta dhe drita?

Për këtë arsye, Allahu e ka quajtur revelatën e Tij “shpirt”. Në qoftë se shpirti zhduket, merr fund edhe jeta. Allahu i Lartësuar ka thënë: “Dhe kështu [siç u dërguam shpallje Profetëve të mëparshëm], Ne të kemi dërguar edhe ty (o Muhamed) Shpirt (Shpalljen) me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë.” (Esh-Shura: 52).

Kjo sepse mendja njerëzore edhe pse në përgjithësi e dallon të mirën nga e keqja, nuk mund ta njohë këtë me hollësi, nuk mund t’i dijë ritet e adhurimit dhe mënyrën e kryerjes së tyre, përveçse nëpërmjet Shpalljes dhe Revelatës Hyjnore.

Nuk ka mënyrë tjetër për të realizuar lumturinë dhe shpëtimin në të dy botët përveçse nëpërmjet të Dërguarve (Profetëve); e mira dhe e keqja nuk mund të njihen me hollësi përveçse nëpërmjet rrugës së tyre. Kush e refuzon revelatën hyjnore do të pushtohet nga çrregullimi, stresi dhe mjerimi për aq sa e kundërshton dhe e shpërfill atë.

Besimi në të dërguarit është një nga shtyllat e besimit:

Besimi në të Dërguarit (Profetët) është një nga gjashtë shtyllat e besimit. I Lartmadhëruari ka thënë: “I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të Dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të Dërguarve të Tij.” (El-Bekare: 285).

Ajeti tregon domosdoshmërinë e besimit në të gjithë të Dërguarit (Paqja qoftë mbi ata!) pa dallim. Pra, ne nuk bëjmë dallime siç bëjnë hebrenjtë dhe të krishterët, të cilët i besojnë disa të Dërguar (Profetë) e i mohojnë disa të tjerë.

Profeti (Paqja qoftë mbi të!) ka thënë se besimi është: “Të besosh në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij, në të Dërguarit e Tij, në Ditën e Fundit (Ringjalljen) dhe të besosh në kaderin (paracaktimin hyjnor), atë të mirin (që përbëhet nga ngjarjet e mira dhe dobiprurëse) dhe atë të keqin (që përbëhet nga ngjarjet e këqija dhe dëmprurëse).” (Muslimi 8). 

Domethënia e besimit në të dërguarit e Zotit:

Të besosh në të Dërguarit (Profetët) do të thotë të pohosh me bindje të plotë se Allahu ka çuar te çdo popull një të dërguar nga gjiri i tyre, i cili i ftonte ata për të adhuruar vetëm Allahun, pa i shoqëruar Atij partner; të besosh se të gjithë të Dërguarit janë të sinqertë dhe të besueshëm, janë besnikë të devotshëm, janë udhërrëfyes e të përudhur në rrugën e drejtë dhe të besosh se ata i kanë përcjellë të gjitha mesazhet e Allahut dhe nuk kanë fshehur, ndryshuar, shtuar a pakësuar asnjë shkronjë nga vetja e tyre. I Lartmadhëruari ka thënë: “A kanë të dërguarit (detyrë tjetër), përveçse të përcjellin qartë (mesazhin e Allahut)?!” (En-Nahl: 35). 

Allahu i Lartësuar na ka treguar se nuk ka asnjë komb njerëzor që të mos i jetë dërguar profet dhe se Ai- I Lavdishëm qoftë!- nuk e dënon askënd përderisa nuk i ka arritur Mesazhi hyjnor.

Mrekullitë dhe faktet e të Dërguarve:

Allahu i Lartësuar i ka mbështetur të dërguarit e Tij (Paqja qoftë mbi ta!) me argumente dhe shenja të ndryshme për të vërtetuar sinqeritetin dhe profetësinë e tyre. E tillë është edhe mbështetja e tyre me mrekulli të dukshme, të cilat e tejkalojnë fuqinë njerëzore, për të pohuar sinqeritetin e tyre dhe për të provuar profetësinë e tyre.

Me mrekulli kuptojmë: ndodhitë e jashtëzakonshme që Allahu i shfaq nëpërmjet profetëve dhe të dërguarve të Tij, të cilat janë të një forme të tillë që njerëzit e kanë të pamundur të bëjnë sikur ato.

Prej tyre përmendim:

  • Shndërrimi i shkopit të Musait (Paqja qoftë mbi të!) në gjarpër.
  • Informacioni që Isai (Paqja qoftë mbi të!) i jepte popullit të tij për çfarë hanin dhe ruanin në shtëpitë e tyre.
  • Çarja e Hënës më dysh, mrekulli që iu dha Profetit tonë, Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!).

Çfarë përmban besimi në të Dërguarit?

  • Të besosh se misioni i tyre është vërtet nga Allahu i Lartësuar dhe se të gjitha mesazhet hyjnore pajtohen në thirrjen që njerëzit të adhurojnë vetëm Allahun, pa i bërë Atij partner, siç ka thënë i Lartmadhëruari: “Çdo populli Ne i çuam një të Dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe shmangni idhujt!” (En-Nahl: 36).
  • Legjislacionet që kanë sjellë profetët mund të ndryshojnë në detaje të ndryshme në lidhje me hallallin (të ligjshmen) dhe haramin (të paligjshmen), në përshtatje me gjendjen e popujve të tyre, siç ka thënë Allahu i Lartësuar: “Ne për secilin nga ju kemi sjellë një ligj dhe një rrugë të qartë.” (El-Maide: 48).
  • Të besosh në të gjithë Profetët dhe të Dërguarit: Kështu, ne besojmë në të gjithë ata profetë që Allahu i ka përmendur me emër, si: Muhamedi, Ibrahimi, Musai, Isai, Nuhu etj. (Paqja qoftë mbi ta!). Ndërsa sa u përket Profetëve që nuk ua dimë emrat, i besojmë në mënyrë të përgjithshme. Kush mohon profetësinë e njërit prej tyre, i ka mohuar të gjithë.
  • T’i besosh të gjitha historitë dhe mrekullitë autentike të Profetëve, të cilat përmenden në Kuran e Sunet, siç është historia e hapjes së detit për të kaluar Musai (Paqja qoftë mbi të!).
  • Të zbatosh legjislacionin e të Dërguarit që është dërguar te ne dhe që është më i miri dhe i fundmi (vulosësi) i tyre, Muhamedit (Paqja qoftë mbi të!).

Disa nga cilësitë e të Dërguarve

  1. Ata janë njerëz dhe dallojnë nga të tjerët sepse Allahu i ka veçuar me Shpalljen dhe Mesazhin Hyjnor. I Lartmadhëruari ka thënë: “Edhe para teje kemi dërguar vetëm njerëz, të cilëve, u kemi shpallur.” (El-Enbija: 7).
    Pra, profetët nuk kanë asgjë prej rububijes (zotërimit unik) dhe uluhijes (të drejtës unike për t’u adhuruar), por janë njerëz që kanë arritur përsosmërinë fizike dhe morale, janë njerëzit me prejardhjen më të mirë dhe me gradën më të lartë të zgjuarsisë e oratorisë, çka i ka afirmuar të mbajnë mbi supe peshën e rëndë të Mesazhit Hyjnor dhe të profetësisë.
    Allahu i ka bërë të dërguarit njerëz, me qëllim që shembujt e njerëzimit të jenë prej racës së tyre. Në këtë mënyrë, ndjekja e shembullit të tyre do të ishte brenda mundësive dhe fuqive njerëzore.
    .
  2. Allahu i ka zgjedhur Profetët për të mbartur Mesazhin Hyjnor, pra, në dallim nga njerëzit e tjerë, i Lartmadhëruari i ka veçuar Profetët me Shpallje. Në lidhje me këtë Allahu i Lartësuar ka thënë: “Thuaj: Në të vërtetë, unë (Muhamedi) jam vetëm një njeri si ju, të cilit i është shpallur se Zoti juaj është një Zot i vetëm.” (El-Kehf: 110).
    Pra, profetësia dhe mesazhi hyjnor nuk mund të fitohen vetë, thjesht me pastrim e edukim shpirtëror dhe as me gradë të lartë zgjuarsie e inteligjence, por janë rezultat i përzgjedhjes hyjnore; Allahu është Ai që i zgjedh të Dërguarit e Tij nga mesi i njerëzve, siç ka thënë: “Allahu e di më mirë se kujt ia jep mesazhin e Vet.” (El-Enam: 124).
  3. Ata janë të mbrojtur nga gabimet, pra, nuk gabojnë në përcjelljen e mesazhit prej Allahut dhe nuk gabojnë në zbatimin e asaj që Allahu i shpalli atyre.
  4. Sinqeriteti: Të Dërguarit (Paqja qoftë mbi ta!) janë të sinqertë në fjalët dhe veprat e tyre. I Lartmadhëruari ka thënë: “Kjo është ajo që ka premtuar i Gjithëmëshirshmi; të Dërguarit kanë thënë të vërtetën!” (Ja Sin: 52).
  5. Durimi: Të Dërguarit kanë bërë thirrje për në fenë e Allahut të Lartësuar, duke përgëzuar dhe duke paralajmëruar. Në këto përpjekje ata kanë pësuar lëndime e vështirësi nga më të ndryshmet, por kanë duruar në rrugën e lartësimit të Fjalës së Allahut. I Lartmadhëruari ka thënë: “Prandaj, ti bëhu i durueshëm (o Muhamed), ashtu siç kanë duruar me këmbëngulje të Dërguarit e vendosur” (El-Ahkaf: 35).

Frytet e besimit në të dërguarit:

Besimi në të Dërguarit ka fryte madhështore, prej tyre janë:

  1. Njohja e mëshirës dhe e kujdesit të Allahut të Lartësuar për robërit e Tij, ashtu që i dërgoi Profetët tek ata për t’i udhëzuar në rrugën e drejtë dhe për t’u treguar se si ta adhurojnë Allahun. Kjo, sepse mendja njerëzore nuk mund të arrijë në mënyrë të pavarur tek njohuria në fjalë. Allahu i Lartësuar ka thënë për profetin tonë, Muhamedin (Paqja qoftë mbi të!): “Dhe nuk të kemi dërguar Ty (o Muhamed), përveçse si mëshirë për të gjithë botët.” (El-Enbija: 107).
  2. Falënderimi i Allahut të Lartësuar për këtë mirësi të madhe.
  3. Dashuria për Profetët, respektimi dhe lavdërimi i tyre (Paqja qoftë mbi ta!) ashtu siç u takon atyre, sepse janë treguar të përsosur në adhurimin e Allahut, në përcjelljen e mesazhit të Tij dhe në këshillimin e robërve të Tij.
  4.     Ndjekja dhe zbatimi i mesazhit që të Dërguarit kanë sjellë nga Allahu; ky mesazh është që adhurimi të jetë vetëm për Allahun, pa i shoqëruar Atij partnerë. Në këtë mënyrë përmbushet për besimtarët mirësia e udhëzimi në jetën e tyre, si dhe lumturia në të dyja botët.

Allahu i Lartësuar ka thënë: “Kush do ta pasojë udhëzimin Tim, as nuk do të humbë, as nuk do të bjerë në mjerim. Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të dëshpëruar.” (Ta Ha: 123 – 124).

Mali që quhet mali i Musait, në gadishullin e Sinait, sipas disa studiuesve është mali ku Allahu i foli Musait (Paqja qoftë mbi të!). 

Udhëzuesi i thjeshtuari muslimanit

Muslimi faqe udhëzues lehtësues është versioni elektronik i librit (udhëzues lehtësuesit myslimane), e cila është një bashkëkohore projekte udhëzues kompanisë janë prodhuar më shumë se 15 gjuhë dhe të sigurojë përmbajtjen në një numër të templates elektronike dalluese.

Modern Guide